Mbyllja e hetimeve për "Sterilizimin", Ilir Beqaj paraqitet në SPAK, i komunikohet akuza për ...

Tre ditë më parë Prokuroria e Posaçme njoftoi përfundimin e hetimeve për koncesionin e sterilizimit, dhe Prokurorët ua komunikuan akuzat të pandehurve dhe 8 personave që janë proceduar më herët.

Gazetari Edison Vatnikaj raporton se edhe mëngjesin e sotëm akuza për "Shpërdorim detyre" po i komunikohen edhe ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqajt.

Të pandehur për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 mln euro janë: Ilir Rrapaj, Klodian Rjepaj, Genc Burazeri, Marsela Serjanaj, Arben Gjata, Naile Ajazi dhe Petro Mersini, si dhe Saimir Kadiu.

Ish-ministri Ilir Beqaj ndodhet në akuzë për shpërdorim detyre, e kryer në bashkëpunim.

Zyrtarisht Ilir Beqaj akuzohet se në kohën kur ishte ministër i Shëndetësisë nuk ka parandaluar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj dhe ish- zëvendësministrin Klodian Rrjepaj.

Ish-ministri ka udhëtuar me bosët e koncesionit dhe u ka vënë në dispozicion automjete zyrtare.

Beqaj nuk ka marrë gjithashtu masa për të vënë në punë qendrën moderne të sterilizimit në QSUT.

Ndërkohë kjo nuk është e vetmja çështje ndaj ish-ministrit. SPAK ka nisur një çështje të re, pasi dyshohet se si drejtues i ASPAC ka përfituar nga fondet e BE dhe lidhje klienteliste me kompanitë farmaceutike.

Kujtojmë se për sterilizimin janë nën masën e arrestit me burg Rjepaj e Rrapaj, dy persona të tjerë janë nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe 4 të tjerë nën masën “Detyrim paraqitje”.