Nis plani i paqes në Kuvend/ Deputetët e PS-së diskutojnë sot për qëndrimet në komisione

Marrëveshja mes demokratëve të Rithemelimit dhe Partisë Socialiste e finalizuar të premten e 15 marsit nga kjo e hënë do të rikthejë qetësinë në parlament, por edhe ballafaqimet mes palëve.

Në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, paraditen e sotme është parashikuar mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, mbledhje në të cilën do të vendosen piketat e qëndrimeve që mazhoranca do të mbajë si në komisionet parlamentare, komisionet hetimore, apo edhe në komisionin e reformës zgjedhore.

Burime nga selia rozë bëjnë me dije se gjatë fjalës së tij në takimin me dyer të mbyllura kryeministri Edi Rama përsëri u bëri thirrje deputetëve që të jenë më aktivë në rrjetet sociale.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, burime bëjnë me dije se Rama u kërkoi që të postojnë çdo ditë ndërsa theksoi se do ti kontrollojë personalisht.

Gjithashtu bëhet me dije se edhe marrëveshja me demokratët e “Rithemelimit” është diskutuar në mbledhjen e grupit.

Komisionet parlamentare që deri tani janë mbajtur online vetëm me prezencën e socialistëve tanimë, sipas vetë Kuvendit do të mbahen fizikisht.

Lajmërimi jepet me Komisionin e Ligjeve ku për diskutim në sallë janë pesë çështje. Në sallë deputetët e opozitës e të mazhorancës do të jenë edhe te Komisioni i Jashtëm dhe ai i Sigurisë.