Basha: Marrëveshja për komisionet hetimore, pazar i pastër

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi sot pazar të pastër marrëveshjen e arritur në Konferencën e Kryetarëve mes mazhorancës dhe deputetëve të grupit parlamentar të PD-së pjesë e Rithemelimit për ngritjen e 2 komisioneve hetimore dhe dhënien fund të mosfunksionalitetit të Kuvendit.

Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor në degën nr. 13 të PD-së në Tiranë ku në fjalën e tij, u ndal tek kjo marrëveshje.

“Pazari i turpshëm i 48 orëve të fundit, por që në fakt ka qenë tenxhere me presion prej fillimit.

Sepse hallexhinjtë e kësaj marke ia dinë gjuhën njëri-tjetrit, ia dinë ku i dhemb njëri-tjetrit dhe janë të gatshëm të bëjnë pazare me njëri-tjetrin për njëri-tjetrin, por jo për shqiptarët”, u shpreh Basha.

Sipas tij, pazari i fundit është pa diskutim një pazar i pastër për interesat në radhë të parë dhe mbi të gjitha të Edi Ramës.

“Pesë muaj i ashtëquajturi revolucion, çfarë prodhoi? Prodhoi që Edi Rama të kalojë çfarë i desh qejfi.

Nga buxheti, te aktet korruptive, te heqja e parave për pronarët, tek investimet strategjike pa asnjë kritikë opozitare, pa u dëgjuar zëri i opozitës në Parlament.

Se në vend që të flisnin, i binin bilbilave. Për çfarë i ranë bilbilave?

Që nga 8 të mernin 2 komisione. Dhe këto 2 komisione, objekti është të shikojnë masat administrative dhe të përmirësojnë ligjet që mos të vjedhë Edi Rama”, u shpreh Basha.

“U shit revolucioni për asgjë. Madje më keq se asgjë, minus, sepse ligji për komisionet hetimore ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama duke e bërë edhe më të vështirë, deri në kufijtë e pamundësisë transparencën”, tha Basha.

“Për turpin e tyre po pranojnë të kthehen në një fasadë për Edi Ramën që të ruajnë kushtetutën e 2008-ës dhe të ruajnë listat e mbyllura, dhe të ruajnë kontrollin politik së bashku me atë tjetrin dhe në këtë mënyrë të sigurojnë një monopol politik për veten e tyre. i kanë të qarta gjërat, Edi Rama do të vazhdojë i pashqetësuar pushtetin”, tha Basha.