“Mposhti” vetting-un në Strasburg, KPA prish vendimin e dhënë në 2019 për Antoneta Sevdarin

Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka vendosur që të rishqyrtojë çështjen e ish-prokurores Antoneta Sevdari, që përbën rastin e parë të rishqyrtimit të një çështje pasi është marrë vendim i formës së prerë për shkarkimin!

Të hënën trupa gjykuese e përbërë nga 5 anëtarë të KPA-së vendosi që të rihapë dosjen e saj në seancë që do të mbahet në 17 prill.

Ish-prokurorja anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë u lirua nga detyra në vitin 2019 nga KPA pasi kishte kaluar testin e parë në KPK, por ajo e dërgoi çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

trupa ndërkombëtare në dhjetorin e vitit 2022 gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës.
Aso kohe rekomandoi se mënyra e duhur për rivënien në vend të padrejtësisë së gjetur është rihapja e procesit në rrugët e brendshme.

Strasburgu argumentoi që shkarkimi i Sevdarit për faktin se ajo nuk arriti të provojë se bashkëshorti i saj ka pagur taksat në 2 dekadat e fundit, ishte disproporcional me synimet e ligjshme të procesit të Vettingut.