“Investimet Strategjike”, Agalliu: Ligj korruptiv, individë pranë qeverisë të hetuar nga SPAK
Deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu e ka cilësuar korruptiv ligjin “Për Investimet Strategjike” të votuar të enjten në Kuvend. Po ashtu ai ka ngritur akuza ndaj qeverisë për vendosjen e gjobave për bizneset buzë detit apo liqeneve të cilat nuk kanë impiante për ujërat e zeza.
Në një prononcim për mediet, nga oborri i Kuvendit, Agalliu theksoi se Partia Demokratike ka patur qëndrim të qartë sa i takon ligjit për investimet strategjike.
“Një ligj korruptiv, një ligj i cili ka pajisur me leje investitorë të cilët kanë qenë pjesë e afërt e kësaj qeverie, klientë të kësaj qeverie. Në kaq e kaq vite janë 40, 44 leje të dhëna nga 88 aplikime, të tjerat janë ende në proces”, tha Agalliu.
“Dhe kjo qeveri kërkoi deri para kësaj seancë që ta zgjaste afatin e investimeve strategjike deri në 2027-ën dhe të rriste vlerën nga 5 milionë, në 50 milionë dhe 100 milionë. Deklaratat që PD ka bërë, oponenca që jemi munduar të bëjmë në këto hapësira që na lejon situata besoj që ka qenë e mjaftueshme, nuk do të thoja, por ka qenë maksimumi i aktivitetit në këto kushte”, shtoi Agalliu.
“Qeveria sot ka bërë një hap prapa, duke tërhequr disa nga elementët, siç është shuma e investimit apo zgjatja deri në 2027. Por në mënyrë të pakuptimtë vijon dhe zgjat afatin deri në 2024-ën. Prapë jashtë çdo lloj konteksti ekonomik dhe jashtë çdo lloj konteksti normale logjike duke ditur që sot SPAK ka nën hetim dhe të akuzuar lidhur me investimet strategjike individë të cilët janë pjesë të qeverisë ose janë afër saj”, nënvizoi Agalliu.
Deputeti i Partisë Demokratike tha se për sa i takon impianteve për përpunimin e ujërave të zeza, duhet të jetë qeveria që të investojë dhe jo bizneset.
“Element tjetër që doja të evidentoja është fakti me, unë do ta quaja gjobë të gjithë bizneseve që janë bregdetare apo buzë liqeneve duke i detyruar të vendosin impiante për përpunimin e ujërave të zeza, impiante që kushtojnë nga 25 mijë deri në 100 mijë euro. Ndërkohë që qeveria do të duhet të jetë ajo për të kryer investime të cilat risin eficiencën e turizmit, ulin ndotjet në dete dhe në liqene dhe nuk mund t’ia faturojnë këtë barë biznesit duke iu thënë që nëse deri në fillimin e sezonit nuk vendosen impiante, do të gjobiten me një vlerë taksative 15 mijë euro dhe do të shkojë deri në heqjen e licencës”, përfundoi Agalliu.
