Shpërthimi në Lushnje/ Lejoi punimet në kapanon pa respektuar rregullat, arrestohet përgjegjësi: Kisha kontratë
Policia ka arrestuar personin që kishte kontratë të bënte punimet në kapanonin ku humbën jetën Roland dhe Elidion Hoxha. Ai akuzohet për shkelje të rregullave në punë, ku si pasojë ndodhi dhe shpërthimi tragjik. Por në prokurori I ndaluari shprehet se nuk ka kryer asnjë punim në ambientin e deputetit Bujar Çela duke e lënë enigmë se kush I angazhoi punëtorët që po kryenin saldimin në lartësi
Me urdhër të prokurorisë policia e Lushnjes ka arrestuar shtetasin Leonard Gjini, i cili është vënë nën akuzë për shpërthimin në magazinën e deputetit Bujar Çela ku humbën jetën Roland dhe Elidion Hoxha, babë e bir.
Në deklaratën për mediet thuhet se hetimi ndaj 32-vjeçarit vazhdon për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda.
Akuza ka zbuluar se 32-vjeçari kishte kontratë për kryerjen e punimeve në kapanonin ku shpërtheu bombula me oksigjen. Por shtohet se me mosveprimet nuk ka marrë masa në zbatimin e punimeve. Si pasojë thuhet në deklaratë 2 shtetas humbën jetë dhe 7 të tjerë u lënduan përfshirë dhe deputetin socialist.
Megjithatë mësohet se gjatë marrjes në pyetje gjini ka pranuar se kishte kontratë me vlerë rreth 18 milionë lekë me Bujar Celën që kishte edhe leje ndërtimi. Por ka shtuar se për ngjarjen e ndodhur aty nuk kishte lidhje dhe se nuk ka idenë se çfarë punimesh ishin duke u kryer në objektin në fjalë. Më tej ai shton se nuk kishte dërguar asnjë punonjës aty dhe se ka qenë në pritje të lirimit të objektit për të nisur edhe punimet.
Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së premtes, ku përmes një vinçi po ngjiteshin dy bombula që shërbenin për saldim. Punimet po kryheshin në lartësi, ky dyshohet se për shkak të një gabimi është shkëputur lidhja në një prej bombulat e pasi ka marrë zjarr ka rënë në tokë duke shkaktuar dhe shpërthim të fortë.
Perimetri i prekur nga shpërthimi ka qenë i madh duke shkaktuar edhe dëme të mëdha në banesa.
