Dyfishohen aksidentet, eksperti Rrugores jep alarmin: Duhet ndërgjegjësim i shoferëve, përmirësim infrastrukture
Edukimi i përdoruesve të rrugës në zbatimin e rregullave të qarkullimit është faktori kyç në uljen e aksidenteve automobilistike që këtë fillim viti kanë shënuar gati dyfishim në krahasim me atë paraardhës. Eksperti Fadil Likaj thekson edhe nevojën për përmirësimit të infrastrukturës, si një prej shkaqeve!
Aksidentet në rritje në muajt e parë të vitit 2024 për ekspertin Fadil Likaj janë pasojë e fluksit të lëvizjes, por në shumicë faj i drejtuesve të mjeteve e këmbësorëve që shkelin rregullat e qarkullimit.
Fadil Likaj, ekspert i sigurisë Rrugore: “Nëse i referohemi dhe shikojmë aeroportin “Nënë Tereza” do të shikojmë që ka një rritje të fluksit të lëvizjeve dhe kjo bën që rrugët aktuale janë projektuar inimalisht 10 vite më parë, dhe me shtimin e mjeteve këto rrugë nuk janë në nivelin e kërkuar”.
Ndaj ngulmon tek edukimi i shoferëve dhe këmbësorëve si masë parandaluese.
Fadil Likaj, ekspert i sigurisë Rrugore: “Rreth 84 % e aksidenteve në Shqipëri ndodhin për shkak të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve.
Dhe një ndër shkeljet më kryesore dhe determinante janë ndërprerjet e rrugës në mënyrë të menjëhershme, parakalimet e gabuara dhe qarkullimi me shpejtësi mbi normat e lejuara.
Mosha që ka treguar një tendencë në rritje të aksidenteve është 24 – 28 vjeç, që ëhstë dhe grupmosha që shkakton më shumë aksidente.

Dhe këta të rinj duhet të bëjnë kujdes dhe t’i thërrasin mirë mendjes, sepse është grupmosha që duhet të bëjë ndryshimin.
Duhet të flasim edhe për pjesën e ndërgjegjësimit, sepse ne në Shqipëri e dimë shumë mirë që këto rrugë kemi”.
Problemet e infrastrukturës janë një tjetër faktor i ngjarjeve në rrugë, sipas ekspertit Likaj.
Fadil Likaj, ekspert i sigurisë Rrugore: “Për rritjen e numrit të aksidenteve kemi një problem që janë rrugët, sepse e dimë që ka segmente rrugore ku mungon sinjalizimi. Padyshim, që unë jam tek rrugët në të cilat duhet investuar, por pa diskutim edhe ndërgjegjësimi i drejtuesve duhet rritur që të kemi rrugë sa më të sigurta për të gjithë”.

Ndëshkimi i shkelësve, sipas ekspertëve të sigurisë rrugore, nuk kanë ndikim në parandalimin e aksidenteve me pasoja ndaj kërkojnë që masat e policisë të shtrihen përtej gjobave!


