Fitoi të gjitha ndeshjet, ATS shpallet kampione e Tiranës në minifutboll
Ekipi i ATS është shpallur kampion i Tiranës për minifutboll me një rekord të veçantë ku i fitoi të gjitha ndeshjet e sezonit 2023-2024 në kompeticionin zyrtar të organizuar nga FSHF.
Në finale ATS u përball me Nabucco ku triumfoi me rezultatin 7 me 5.
Sa i përket lojës ATS ishte dominante por u vendos në vështirësi shpesh herë nga kundërshtarët të cilët shënuan me ish-futbollistët Julian Ahmataj dhe Jahmir Hyka por ishte Xhuljan Reçi që me golat e tij nxirrte nga situatat e komplikuara ATS duke i dhënë titullin kampion ekipit të drejtuar nga trajneri Irtan Sejko.
ATS zhvilloi një sezon pozitiv pasi në ekip u afrua dhe dyshja Nuza-Çera e kombinuar me eksperiencën e kapitenit Flamur Pjetërnikaj, talentin e futbollistit Leci si dhe dy portierët Frenki Dikollari dhe Niku.
Kupa dhe medaljet për ekipin fitues u dorëzuan nga drejtuesi i Departamentit të Futbollit Amator në Federatën Shqiptare të Futbollit, Jurgen Demneri.
Sfidat e radhës te kampionati i minifutbollit rezervojnë përballjet e forta ku garohet për kampionen e Shqipërisë.
View this post on Instagram
