Drejtori i AKU-së, Edmond Rrushi bëhet “avokat” i subjekteve private. Mbyll sytë para shkeljeve

Problematikat e sigurisë ushqimore duhet të jenë kambanë alarmi për AKU, por drejtori i këtij institucioni Edmond Rrushi ka vendosur të mbyllë sytë para shkeljeve.

Edhe kur në tryezën e punës i vendosen denoncime  nga konsumatorët  drejtori i institucionit më të rëndësishëm të sigurisë ushqimore në vend  bëhet ‘avokat’ i subjekteve private.

Në kronikën e transmetuar më herët në ‘Ora investigim’ u pa qartë se te ‘kremviçe pule 1kg’ KMY, mungon informacioni i detyrueshëm ushqimor në etiketë.  Sipas ligjit ky prodhim duhet të hiqet nga tregu, njëkohësisht  shoqërohet edhe me penalitete.

Meqenëse inspektorët e AKU e kishin ‘të pamundur’ t’i  konstatojnë këto shkelje ne ia lehtësuam punën dhe së bashku me kërkesën për informacion i dërguam edhe foto të produktit që nuk e ka etiketën sipas përcaktimeve ligjore. Drejtori i AKU bëhet palë me biznesin, edhe kur ‘sheh ujkun, fillon të kërkojë gjurmët’.

Fotot e vëna në dispozicion AKU tregojnë qartë se salçiçet e pulës 1 kg nuk respektojnë Vendimin nr.434 për etiketimin e ushqimeve, por Z. Rrushi nuk e shqetëson ky fakt  dhe për të qenë ligjërisht korrekt urdhëron Drejtorinë Rajonale  për të kryer një inspektim në subjekt  pasi i gjithë prodhimi është shitur. Me pas me ane të kësaj shkrese na bën me dije se produkti kremviçe pule ka etiketën sipas kërkesave ligjore.

Informacioni që i kërkuam AKU ishte nëse kremviçet që iu shitën qytetarëve nga muaji tetor  deri në dhjetor 2023 a e kishin etiketën sipas përcaktimeve ligjore? Kreu i AKU nuk shprehet në asnjë rresht në lidhje  me fotot e dërguara por lan duart nga ky rast duke thënë se nuk u konstatua shkelje gjatë inspektimit të kryer me 15.1.2024.

Z. Rrushi konsumatorët prisnin një qëndrim në lidhje me provat që kishit mbi tavolinë, dhe  jo një inspektim pasi produkti është shitur.

Këto salçiçe pule janë tregtuar në çdo supermarket të  vendit por çuditërisht inspektorët tuaj nuk i kanë parë, ashtu sikurse edhe ju refuzoni t’i shihni.

Nuk na suprizon aspak fakti që në përgjigjen tuaj shpreheni se etiketat  në datën 15.1.2024 kane qenë të rregullta sepse salcicet janë shitur nga tetori deri ne dhjetor 2023

Për më tepër Tv Ora News në tetor 2023  ka vënë në dijeni  KMY në lidhje më këtë problematikë . Edhe pse ky subjekt asnjëherë nuk na ktheu përgjigje ka marre masa për etiketimin e rregullt.

Për sa kohe që AKU të mbylle sytë para shkeljeve të konstatuara nga qytetarët, shëndeti i konsumatorëve do të vijojë të jetë në rrezik.