“Burgosja” e grave nga burrat, psikologia Hida: Janë marrëdhënie të vdekura, që nuk mbahen dot me dhunë

Shoqëria shqiptare u trondit të hënën nga rasti i përsëritur i burgosjes brenda mureve të shtëpisë së grave dhe fëmijëve nga burrat e tyre.

Pas rastit të një jave më parë të Jetnor Zhabolit, 35-vjeçari që mbante të ngujuar familjen e tij, një tjetër ngjarje e ngjashme u zbulua sërish në Tiranë, ku 34-vjeçari Asqeri Mandri, dhunonte të shoqen dhe e mbante të mbyllur duke e mbikëqyrur me kamera.

Për të kuptuar më shumë lidhur me këto raste e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte psikologia Manolita Hida, e cila i  cilësoi këto raste si aspak normale.

“Cilado qoftë forma e dhunës së ushtruar, psikologjike apo fizike, secila është e dëmshme me pasoja afatgjata dhe afatshkurtra.

Në rastet konkrete, ne ndodhemi në fenomenet ku marrëdhëniet mes bashkëshortëve janë totalisht të dëmtuara. Normalisht çdo marrëdhënie mbahet nga besimi dhe respekti ndaj njëri-tjetri.

Në momentin kur ne vendosim kamera atëherë kjo tregon se marrëdhënia është krejtësisht e krisur.

Nuk janë veprime të shëndetshme të cilat e përmirësojnë marrëdhënien, por përkundrazi e çojnë në përkeqësimin e saj”, theksoi psikologia Manolita Hida.