“Gërdeci” shtyhet sërish, SPAK kërkon dëshminë e Mediut dhe ish-sekretares së Bumçit në 21 shkurt

U mbajt këtë të martë në Gjykatën e Posaçme seanca e radhës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, lidhur me çështjen e Gërdecit.  

Në përfundim u vendos që seanca të shtyhet dhe ajo e radhës të mbahet më 21 shkurt, dhe dëshmitari i fundit Ilmi Laçaj refuzoi të jepte deklarime.

Prokurorët e SPAK kërkojnë të pyetet edhe Fatmir Mediu në seancën e 21 shkurtit.

Po ashtu, SPAK i kërkoi gjykatës të gjendet Anjola Agolli sektretare e ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, me pretendimin se nga zyra e saj ka dalë dhe shkresa për djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.

Agolli nuk është gjetur megjithëse SPAK ka vënë më dispozicion një adresë të re të saj.

Ndërkohë u përsërit thirrja për të bashkëpandehurit e tjerë, mes tyre Luan Hoxha, Dritan Minxolli dhe Mihal Delijorgji, të cilët nuk janë gjetur në adresat e deritanishme të çuara në gjykata.

Gjykata informoi se Ministria e Drejtësisë ka dërguar letër-porosinë në SHBA për të marrë në pyetje Patrick Henry dhe përfaqësuesit e kompanisë SAK.

Prokurori i SPAK kërkoi në seancën e radhës se nëse do të jetë gati mund të pyetet edhe Mediu në cilësinë e të pandehurit.

Ky i fundit tha për mediat se për këtë çështje do të komunikonte me avokatët.

Ndërkaq në përfundim të seancës vetë ish-ministri Mediu u shpreh i hapur për hetimet dhe i bëri thirrje që të vijnë të dëshmojnë personat e kërkuar në proces.