Çuçi “me dorë të hekurt”, paralajmëron përjashtimin e rebelëve opozitarë nga Kuvendi  

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi paralajmëron përjashtimet e radhës të deputetëve të opozitës, pas kaosit që krijuan në seancën e pak minutave më parë në Kuvend.

Çuçi tha se asnjë deputet i papërjashtuar nuk është ndaluar të futet në sallën e Parlamentit, ndërsa theksoi se ata janë mandatuar  për një jetë parlamentare normale.

Ai shtoi se nëse opozita do të vazhdojë me këtë sjellje mazhoranca do të ndjekë rregullat dhe do të vazhdojë me kërkesat për përjashtimet.

“Mendoj se ky teatër duhet të marrë fund. Sot pamë një tjetër shfaqje të shëmtuar të kolegëve të opozitës. Askush nuk i ndalon deputetët e pa përjashtuar. Që kur kanë filluar me këtë histori e kanë pasur të qartë që para rregullave të parlamentit nuk do na ndalë asgjë sepse jemi mandatuar për një jetë parlamentare normale. Besoj se nëse vazhdojnë kështu, edhe ne brenda gjithë rregullave do vazhdojmë me kërkesat tona për të përjashtuar këdo që prish seancat solemne plenare apo komisionet e rëndësishme”, u shpreh ai.