Komisioni i Reformës pa Opozitën/ Në 6 shkurt raportojnë grupet e interesit, të dënuar Bylykbashi e Salianji

Në gjashtë shkurt anëtarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore do të rimblidhen për të diskutuar propozimet që vijnë nga shoqëria civile. Me mungesën e deputetëve të dënuar të opozitës diskutimet lajmërohet të zhvillohen në sallë, por në rast të protestave gjithçka do të kalojë online

Komisioni i Reformës Zgjedhore do të zhvillojë mbledhjen e radhën të martën e 6 shkurtit. Diskutimi parashikohet të zhvillohet në sallë, dhe nëse opozita do të vijojë aksionin për ta bllokuar për shkak të kërkesave që janë paraqitur prej katër muajsh, mbledhja do të kalojë në platformën online.

Në rendin e punës parashikohet paraqitja e propozimeve nga shoqëria civile dhe partitë jo parlamentare.

Deri më tani janë 4 subjekte që kanë paraqitur propozime, ku fokusi qëndron të votimi i emigrantëve, apo ndryshimi i formës së votimit dhe numërimit

Në mbledhjen e tretë nuk do të jenë prezent deputetët demokratë të renditur në krah të Rithemelimit.

Oerd Bylykbashi është dënuar me 10 ditë përjashtim nga punimet e Kuvendit, ashtu si dhe Saimir Korreshi.

Megjithatë, ashtu si dhe në dy nismat e fundit, opozita pritet të vijojë protestën duke kërkuar miratimin e komisioneve hetimore dhe ndryshmin e emrave që janë pjesë e komisionit të posaçëm për ndryshimin në ligjin elektoral. Sipas planit të punës së komisionit në datën 25 mars do të përgatiten dhe ndryshimet në Kod.