PS-PD "pajtohen" në Uashington, Ambasada Amerikane: Kënaqësi t'i shohësh përfaqësuesit e zgjedhur së bashku! Reagon dhe Bardhi
Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar lidhur me vizitën e delegacionit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të cilët ndodhen në SHBA.
Ambasada shkruan se është kënaqësi të shohësh përfaqësues të zgjedhur shqiptarë në Uashington së bashku për të punuar për çështje të rëndësishme për popullin e Shqipërisë.
Postimi i Ambasadës në ‘X’:
Kënaqësi të shohësh përfaqësues të zgjedhur shqiptarë në Uashington së bashku për të punuar për çështje të rëndësishme për popullin e Shqipërisë.
Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin e fortë me Shqipërinë dhe përfaqësuesit e saj të zgjedhur në çështje të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare.
Populli shqiptar meriton një demokraci të fortë, të shëndetshme, ku të gjithë aktorët politikë punojnë së bashku për të mirën e përbashkët të vendit.
Kujtojmë se në SHBA ndodhet një delegacion nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mes tyre dhe Damian Gjiknuri, Pandeli Majko dhe Dhurata Çupi.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së së Rikthemelimit, Gazment Bardhi ka zhvilluar një takim në Departamentin e Shtetit me zv. Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe të dërguarin për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, shkruan Bardhi, duhet t’i qëndrojë standardeve të një vendi demokratik dhe të punojë me vendosmëri për t’u bërë pjesë e BE.
"Gjatë vizitës në Uashigton DC, zhvilluam një takim në Departamentin e Shtetit me zv. Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe të dërguarin për Ballkanin Perëndimor z. Gabriel Escobar.
SHBA mbetet aleati ynë kyç dhe shqiptarët janë me fat që i kanë në krah.
Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, duhet t'i qëndrojë standardeve të një vendi demokratik dhe të punojë me vendosmëri për t’u bërë pjesë e BE", shprehet Bardhi.


