“Dënimi i Kapllanit” Noka: SKAP-i do të trembë opozitarët, Ramës i dha “leje” për çdo krim elektoral
Në një dalje nga selia blu, deputeti demokrat Flamur Noka foli edhe për dënimin e Klodian Kapedanin për krim zgjedhor me 1.6 vite burg.
Noka tha se SKAP-i i dha sinjalin Ramës se pushteti mund të bëjë çdo krim elektoral dhe nuk do hetohet, ndërsa dënojnë eksponentë të opozitës për t’i trembur.
Noka: Është ky SKAP-i që ditën e parë që u krijua, akti dhe gjestin e parë që bëri, ishte amnistimi i krimit elektoral të pushtetit. E mbani mend ju, dosja 339 dhe dosja 184 ishin dy dosje që bënë bujë në gjithë botën për përfshirjen e ministrave, zyrtarëve policorë dhe të kryeministrit, të kryetarëve të bashkive të rilindjes, në një krim të rëndë elektoral. Po ju rikujtoj se në krijimin e tij, SKAP-i kishte tre shtylla të punës së tij. Krimi elektoral, krimi i organizuar, korrupsioni i zyrtarëve shtetërore. Me shtyllën e parë që ka të bëjë me krimin elektoral, e pushkatoi vetë SKAP-i, i dha amnisti, dosjet i zhduku dhe e amnistoi.
Që në këtë moment u pa qartë se kjo organizatë që ishte krijuar për të dhënë drejtësi, vendosi një standard padrejtësie. Me mbylljen e këtyre dy dosjeve, SKAP-i i dha sinjalin e qartë Edi Ramës dhe çdo shqiptari se pushteti mund të bëjë krim elektoral çfarë të dojë dhe nuk do hetohet. Ka shqiptar sot në këtë vend që nuk e di se rilindësit, patronazhistët, policia, shërbimi, prokuroria, bandat, të gjitha janë të përfshira në blerje votash, dhunë dhe shantazh e terror të shqiptarët.
Edhe OSBE/ODIHR ka paraqitur një raport që qartëson përfshirjen e çdo instance shtetërore dhe joshtetërore në manipulimin e votave. SKAP-i ka pasur një synim gjatë këtyre zgjedhjeve, edhe Policia e Shtetit. Kanë denoncuar, duke fabrikuar letra për militantë të PD, që po punonin kundër pushtetit. Kjo është një formë kërcënimi dhe shantazhi për anëtarët dhe militantët e PD dhe të opozitës. Po ka njeri që thotë sot në Shqipëri që opozita paska blerë vota, përveçse SKAP-i me këtë veprim? Po a ishte PD që hyri në zgjedhje me simbole të vjedhura, me fonde të rrëmbyera nga shteti, me zero lekë? Këto SKAP-i nuk i sheh. SKAP-i me këtë veprim ka treguar qartësisht se misioni i tij është të luftojë opozitën, t’i shpallë luftë opozitës.
