Ju gjetën gjurmët e gishtave në furgonin nga u vrojtua Roland Rexhepi, kërkohet ekstradimi nga Anglia i Donald Hoxhës

Vrasja e Roland Rexhepit ose siç thirrej ndryshe në Elbasan me nofkën “Doda”, ka sjellë zbulimin e një tjetër personi, i quajtur Donald Hoxha.

Pak kohë më parë prokuroria e këtij qyteti ekstradoi nga Gjermania, njërin nga autorët i quajtur Florind Shabani, i cili tashmë është në proces gjyqësor.

Ndërsa për Hoxhën është lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar, pasi ai është identifikuar përmes gjurmëve të gishtave të fiksuara në një furgon të bardhë të braktisur në vendin e krimit, ku mbeti i vrarë ish-punonjësi i policisë së Elbasanit, Roland Rexhepi.

Pas kryerjes së krimit, Hoxha është larguar në Britaninë e Madhe. Ndërsa identifikimi i tij është kryer disa vite më vonë, pas fiksimit të gjurmëve të gishtave në furgonin nga është vrojtuar lëvizja e Roland Rexhepit, ditën kur ai është vrarë.

Nisur nga kjo situatë, ndaj Hoxhës është lëshuar një masë sigurimi “arrest në burg”. Ndërsa ai mundi të arrestohet në 17 Janar të këtij viti në Angli.

Pak ditë më parë, prokuroria e Elbasanit i kërkoi Britanisë së Madhe të ekstradojë drejt Shqipërisë, Donald Hoxhën, i cili dyshohet për përfshirje në vrasjen e Roland Rexhepit në 2009 në Elbasan.

Pritet që kërkesa e prokurorisë Shqiptare ti nënshtrohet një procesi gjyqësor në Angli, ku do vendoset nëse Donald Hoxha, do ekstradohet ose jo në Shqipëri për tu përballur me akuzën e vrasjes së Roland Rexhepit.

Ndërsa në këtë vrasje ekzekutor me armë, kanë qenë Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, të dy të dënuar me 24 dhe 23 vite burg dhe aktualisht ndodhet në burg.

Vrasja e Rexhepit ose siç thirrej në Elbasan me nofkën “Doda”, është kryer për llogari të një grupi kriminal në Elbasan.