Fier, 29 drejtues mjetesh të arrestuar gjatë muajit janar
Policia Rrugore e Fierit, gjatë muajit janar, ka vënë në pranga 29 drejtues mjetesh, nga këta 21 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjithashtu, janë pezulluar 61 leje drejtimi.
Policia e Shtetit bëri të ditur sot se, kontrollet e shtuara kanë si qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës, rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe lehtësimin e qarkullimit gjatë fashave të orareve me fluks të shtuar në qytet.
Shërbimet e Policisë monitorojnë pandërprerë akset rrugore, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, me qëllim evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti.
Si rezultat, gjatë muajit janar, janë ndëshkuar administrativisht në total 8243 drejtues mjetesh, të ndarë konkretisht: 5334 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara.
512 drejtues mjetesh për mosvendosje të rripit të sigurimit.
796 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara.
114 drejtues për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.
70 drejtues mjetesh për mosdhënie përparësi të këmbësorëve.
294 drejtues për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit.
Policia Rrugore Fier apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të kallëzojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së tyre.
