VIDEO/ Skandal në futbollin paraguajan, futbollistët shpëtojnë fëmijët nga tribuna

Skena horror u shpalosën në një ndeshje futbolli në Paraguaj. Lojtarët u ngjitën në tribuna dhe tërhoqën fëmijët pranë tyre për t’i shpëtuar.

Ndeshja e ligës së futbollit të Paraguajit u shënua nga incidentet e mëdha të ndodhura ndërkohë që Cerro Porteno po luante kundër Sportivo 2 de Mayo. Protagonistë ishin tifozët e vendasve që zgjodhën të zgjidhin mosmarrëveshjet ndërkohë që ndeshja po zhvillohej.

Burimet flasin për një mosmarrëveshje bandash për kontrollin e tribunës (dhe aktivitete të tjera që nuk kanë lidhje me futbollin). Situata doli shumë shpejt jashtë kontrollit.

Episodet nisën në minutën e 54-të të ndeshjes dhe nga konfrontimet e thjeshta verbale, situata agravoi në gjuajtje me sende dhe përplasje me grushte me huliganët, duke mos marrë parasysh që në të njëjtën zonë kishte familje me fëmijë të vegjël.

I pari që u përpoq të arsyetonte me tifozët në tribunë, ishte Jean Fernandez, portieri brazilian i Cerro, i cili jo vetëm u ngjit në kangjellat, por mori edhe një zorrë me ujë dhe filloi të lagte tribunat!

Në të njëjtën kohë, shoku i tij i skuadrës Luis Riveros, duke parë rrezikun, mori një fëmijë të vogël nga prindërit për ta shpëtuar dhe e mbajti në krahë duke u përpjekur ta qetësonte!

Kur Fernandez e kuptoi se nuk mund të ndalonte dot sherrin, mblodhi edhe disa fëmijë dhe i çoi në stol për t’i qetësuar!