MEPJ bën bilancin: 17 mijë shërbime konsullore më shumë në 2023-in

Në vitin 2023 shërbimet konsullore kanë pasur një përmirësim të ndjeshëm në lehtësimin e shumë procedurave, përfshirë edhe marrëveshjet për liberalizimin e vizave me disa shtete.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri të ditur sot se, janë finalizuar marrëveshjet për liberalizimin e vizave dhe qytetarët e Republikës së Shqipërisë do të kenë mundësinë të lëvizin pa viza drejt, Kinës, Kazakistanit dhe  Emirateve të Bashkuara Arabe.

Po ashtu, bëri të ditur MEPJ, numri i shërbimeve konsullore për vitin 2023 është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2022 dhe dokumentacioni që kërkohet është shkurtuar.

Gjatë vitit 2023 u kryen rreth 17 mijë shërbime më shumë se në 2022-in.

Nga  1 janar 2022 deri me 28 dhjetor 2022 u kryen 152.145 shërbime konsullore online dhe 616,195 dokumente të legalizuar.

Ndërsa 1 janar 2023 deri më 28 dhjetor 2023 u kryen 168,571 shërbime konsullore online dhe 670,876 dokumente të legalizuar

Për 2024 MEPJ do të vazhdojë punën e saj për zgjerimin e hartës së vendeve ku qytetarët shqiptarë mund të lëvizin lehtësisht pa viza si dhe digjitalizimin e plotë të shërbimeve konsullore për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Në 2024-ën synohet forcimi i pasaportës shqiptare dhe liberalizimi i vizave me mbi 20 vende të listës pozitive të BE.

Gjithashtu synohet finalizimi i 16 shërbimeve me “QR Code” nga platforma “Shërbimi Konsullor Online”.

Si dhe synohet rritja e sigurisë mbi vërtetueshmërinë e dokumenteve, përmes E-apostile / E- regjistri.