Mjekët në Shkodër pa rroga, kryetari i Sindikatës: Nuk është shlyer ende dhjetori, si do paguhen faturat?

Personeli i spitalit të Shkodrës nuk ka marrë ende rrogat e muajit dhjetor. Për mediet kryetari i Sindikatës ngriti shqetësimin për mungesën e të ardhurave përball faktit se nuk kanë me se të paguajnë detyrimet

Mjekët dhe punonjësit e spitalit të Shkodrës kanë ngritur shqetësimin për vonesën e marrjes së pagës së muajit dhjetor.

Përmes një deklarate për mediet Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Shkodër, Paolo Kaceri, apelon për zgjidhjen e situatës duke e konsideruar neglizhencë të ministrisë.

“Është data 22 dhe mendohet që as sot nuk do të merren pagat e personelit. Kjo është një neglizhencë e jashtëzakonshme e ministrisë së Shëndetësisë për arsye se spitali procedurat e veta i ka kryer në kohë, por ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë të mundur kalimin e fondeve as në datën 22.

Kjo është fatkeqësi sepse gjithë personeli ka detyrime për të shlyer, janë detyrime që nëse nuk shlyhen në kohë do të shlyhen me kamatë, dhe askush nuk merr përgjegjësi për këto halle që ka personeli. Sot një pjesë e personelit mendonte të braktiste punën.”, theksoi Kaceri

Sipas tij ky është precedent që përsëritet në ccdo ndërrim vitesh.

“I bëjmë thirrje ministrisë së Shëndetësisë që mos të përsëritet ky problem, i cili mbartet prej vitesh. Nuk është viti i parë kur rrogat e dhjetorit jepen në gjysmën e janarit”, tha Paolo Kaceri, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë Shkodër.

Nga vonesa e rrogës së muajit dhjetor preken mbi 700 persona që janë punonjës në spitalin rajonal.