AKM keqinformon Tv Ora News! Arta Dollani i fshihet kamerave
Siguria ushqimore në vend është në dorë të institucioneve që në rastin më të mire “mbyllin gojën” për problemet që ka tregu ushqimor ndërsa në rastin më të keq, keqinformojnë median dhe rrjedhimisht publikun me informacionet e pasakta që japin.
“Ora News” për disa muaj ka investiguar në lidhje me ushqimet e skaduara dhe asgjësimin e tyre.
Një ndër kompanitë që i kemi dërguar kërkesë për informacion ka qenë edhe “Elka”.
Kjo e fundit nuk i ka dhënë përgjigje kërkesës tonë në lidhje me asgjësimin e produkteve te skaduara nga viti 2020 deri në 2023?
Më pas televizioni “Ora News” të njëjtën pyetje ia ka parashtruar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, pasi këto dy institucione, sipas ligjit, duhet të jenë prezent në asgjësimin e ushqimeve të skaduara.
AKM na informon se nga viti 2020 deri në 2023, “ELKA” ka kryer dy asgjësime, ndërsa AKU shprehte se për të njëjtën periudhë kompania ka kryer tri asgjësime.
Në bazë të përgjigjeve zyrtare u ngrit pyetja se ku kanë përfunduar 24 ton ushqime të skaduara pasi AKM nuk kishte informacion për procedurën e asgjësimit të kryer 13.12.2021.
Pas transmetimit të kësaj kronike AKM “zgjohet nga gjumi” dhe kujtohet se në arkivën e saj është edhe asgjësimi që ka bërë kompania “ELKA” në dhjetor 2021.
Duke i kërkuar ndjesë televizionit “Ora News” për informacionin e pasaktë dhe të paplotë ky institucion na vë në dispozicion edhe asgjësimin e munguar.
Televizioni “Ora News” në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar një intervistë përfaqësuesve të këtij institucioni, për të mbajtur qëndrim dhe përgjegjësi në lidhje me informacionin e pasaktë.
Por, pavarësisht kërkesave në mënyrë të përsëritur, Drejtuesja e AKM-së Arta Dollani preferon të mos i kërkojë ndjesë publikut, medias dhe kompanisë në lidhje me informacionet e pasakta që jep institucioni që ajo drejton.
Televizioni “Ora News” në të gjitha rastet ka qenë transparent duke kërkuar informacion zyrtar nga të gjitha palët, për më tepër në kronikat e transmetuara i është referuar ne çdo rast përgjigjeve të institucioneve.



