Takimi i Shkupit, Kurti: Plani i rritjes ekonomike përshpejton rrugën drejt BE!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur nga Shkupi, ku ka thënë se, vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma në Ballkanin Perëndimor, dhe se mbështetja e Bashkimit Evropian, duhet të jetë edhe financiare.

Ai i ka bërë këto deklarata në nisje të konferencës “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, që do të mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

“Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa u përket reformave, aty në qendër e kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor”, ka thënë Kurti.

Kreu i qeverisë së Kosovës e ka përmendur se ky plan përshpejton rrugën e Ballkanit drejt BE-së, diçka që sipas Kurtit është "edhe qëllimi, edhe fati ynë".

Sipas tij ky është një takim shumë i rëndësishëm i cili do të mundësojë të ketë sa më shumë bashkëpunim rajonal dhe ecje më të përshpejtuar drejt bashkimit Evropian.

“Në këtë mbledhje 6 shtete të Ballkanit Perëndimorë e takojnë Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes. Brukseli dhe Uashingtoni bashkë me Ballkanin Perëndimorë në Shkup për rritjen ekonomike dhe jo vetëm të rajonit tonë. Vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma tek ne, ndërkaq mbështetja e Bashkimit Evropian duhet të jetë edhe financiare.

Plani i rritjes nënkupton 6 miliard euro për rajonin tonë… Republika e Kosovës sot do të dorëzoj listën e reformave të diskutuara ndërsa në ditët në vijim do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative”, tha Kurti.