Ngec Reforma Zgjedhore, pas kaosit të premten ende nuk ka një datë për mbledhjen e radhës
Burimet në komisionin e reformës zgjedhore thanë se ende nuk ka një datë për mbledhjen e radhës. Mësohet se socialistët kanë kërkuar zhvillimin online të diskutimeve çka është kundërshtuar nga Enkelejd Alibeaj bashkëkryetar i komisionit dhe përfaqësues i PD.
Sipas tij procesi duhet të garantojë transparencë dhe gjithëpërfshirje ndaj dhe diskutimet online nuk janë zgjidhje për ndryshimet e kërkuara për reformën elektorale.
Madje këtë qëndrim ai e dha edhe në konferencën e së premtes ku nga kuvendi kërkoi garantimin për zhvillimin normal të diskutimeve.
Si zgjidhje e situatës së krijuar pas protestës së rithemelimit dhe të mbështetësve të Bardhit në komisionin e 19 janarit, është gjetur asistenca e OSBE.
Mësohet se përmes një shkrese i është kërkuar mendim për hapat që do të duhet të ndiqen. Në planin paraprak të punës komisioni parashikonte të ndante procesin në tre faza.
Deri në 31 janar do të dëgjohet mendimi i organizatave. Më pas deri në fund të shkurtit do të vendosen rregullat e regjistrimit të kandidatëve, lista e zgjedhësve, vota e emigrantëve si dhe komisionet zgjedhore.
Në të tretën do të diskutohet herësi, ndarja e mandateve sipas zonave zgjedhore, financimi i partive dhe hapësira në medie.
Më tej nga data 16 deri në 25 mars palët angazhohen të marrin kohë që pikat e diskutuara e të rëna dakord ti hedhin në një dokument të plotë që do ti kalojë për votim seancës. Ndryshimet e kodit zgjedhor kërkojnë 84 vota.
