Samiti në Shkup, Rama takohet me O’Brien: Në vigjilje të darkës së punës mes liderëve të rajonit
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Shkup, ku pritet që liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë të mblidhen të hënën, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit.
Rama është takuar me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, James O’Brien.
“Shkup – Me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, James O’Brien, në vigjilje të darkës së punës mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane e të BE”, shkruan kreu i qeverisë.
Kujtojmë se në konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, do të marrë pjesë dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiç dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciç.
Në takim do të ketë edhe përfaqësues prej Bosnje-Hercegovinës. Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen prej Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Në mesin e zyrtarëve të BE-së do të jetë drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman dhe zyrtarë tjerë.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro. Pagesat është thënë se do të ekzekutohen vetëm pas përmbushjes së reformave të diskutuara.
