Misioni japonez në Hënë, suksesi mund të zgjasë vetëm pak orë

Një anije kozmike japoneze ka zbarkuar me sukses në Hënë, por problemet me sistemin e energjisë diellore rrezikojnë që misioni të mbijetojë vetëm për disa orë.

Landeri inteligjent për hetimin e hënës ‘Slim’ u vendos në sipërfaqen hënore pranë një krateri ekuatorial.

Arritja e bëri kombin aziatik vendin e 5 që zbarkon me sukses në satelitin natyror të Tokës, pas SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik, Kinës dhe Indisë.

Megjithatë, inxhinierët tani po luftojnë për të shpëtuar misionin.

Për arsye që ende nuk janë zbërthyer, qelizat diellore të anijes kozmike nuk prodhojnë energji elektrike duke bërë që të varet plotësisht nga bateritë.

Kur ato të shkarkohen, ekspertët do të humbasin kontaktin pasi mjeti nuk do të jetë në gjënde të marrë komanda e përcjellë informacione.

Zyrtarët e agjencisë hapësinore japoneze ‘Jaxa’ do të vijojnë përpjekjet pasi shpresojnë që qelizat diellore të jenë orientuar në një mënyrë që nuk mund ta shohin diellin dhe nëse këndet e dritës ndryshojnë, anija do të furnizohej me energji.

‘Ajo ende po na dërgon të dhënat siç duhet, që do të thotë se objektivi ynë fillestar për një ulje të butë në Hënë ishte i suksesshëm’ deklaroi zëvendëspresidenti I Jaxa.

Misioni, me kamerë infra të kuqe, do të kalonte dy javët e ardhshme duke studiuar gjeologjinë locale, por tashmë është e paqartë sa do të mund të arrihet.

Statistikisht, është vërtetuar se është shumë e vështirë të ulesh në Hënë. Vetëm rreth gjysma e të gjitha përpjekjeve kanë pasur sukses.