Australia “digjet”/ Kontinenti po përballet me një valë ekstreme të nxehti

Teksa Europa dhe pjesë të Shteteve të Bashkuara përballen me fshikullimën e vërtetë të dimrit, me reshje të dendura bore e kaos të qarkullimit, Australia ofron panoramë krejtësisht të ndryshme.

Kontinenti po përballet me një valë ekstreme të nxehti, ku në dy rajone të vendit temperaturat kapërcejnë 40 gradët gjatë kësaj fundjave.

Zyra australiane e Meteorologjisë lëshoi një “paralajmërim për nxehtës ekstreme” në rajonet e largëta Pilbara dhe Gascoyne.

Moti i nxehtë rrit rrezikun e zjarreve në një sezon tashmë me rrezik të lartë mes fenomenit të motit “El Nino”, i cili zakonisht shoqërohet me ngjarje ekstreme të motit si zjarret, ciklonet dhe thatësira.

Paralajmërimi vjen pasi qindra zjarrfikës luftuan me një zjarr të furishëm pranë Perthit mes temperaturave të larta në fillim të këtij muaji, duke shkaktuar evakuime masive.

Megjithatë dy sezonet e fundit të zjarreve në Australi kanë qenë të buta në krahasim me “verën e zezë” të zjarreve 2019-2020. që shkatërroi një zonë sa Turqia, vrau 33 njerëz, tre miliardë kafshë dhe shumë jovertebrorë.