FOTO/ U rrëmbye nga terroristët e Hamasit më 7 tetor, pengu i vogël feston 1-vjetorin, por s'dihet gjë për fatin e vogëlushit
Në Tel Aviv u shënua ditëlindja e parë e pengut më të vogël izraelit që u rrëmbye me forcë nga terroristët e Hamasit më 7 tetor të vitit që lamë pas.
Fytyra e vogëlushit Kfir Bibas është bërë e njohur në mbarë botën: Një djalë me flokë të kuqe që mban në dorë një elefant lodër ngjyrë rozë, duke parë drejt kameras ishte tete muajsh kur u mor peng nga Hamasi dhe ai tashmë mbushi një vjeç.
Të afërmit e tij mbajtën në Tel Aviv atë që e quajtën “ditëlindjen më të trishtuar në botë”. Djali i vogël u rrëmbye nga Kibbutz Nir Oz në Izraelin jugor së bashku me prindërit e tij Yarden dhe Shiri, dhe vëllain e tij katërvjeçar Ariel.
Pak ditë më pare Hamasi njoftoi se vogëlushi dhe e gjithë familja e tij ishin vrarë nga bombardimet izraelite në Gaza, por të afërmit e tij nuk e kanë humbur shpresën.
Një turmë e madhe njerëzish mbushën sheshin në qendër të Tel Avivit. Shumë prej tyre mbanin tullumbace portokalli për flokët e kuq të vogëlushit. Sipas autoriteteve izraelite 253 pengje u rrëmbyen në Gaza gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor.


