Pistorius: Putin mund të sulmojë një vend të NATO-s “brenda 5-8 viteve”
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin mund të sulmojë një vend të NATO-s “brenda 5-8 viteve”.
“Ne dëgjojmë kërcënime nga Kremlini pothuajse çdo ditë … kështu që duhet të marrim parasysh se Vladimir Putin mund të sulmojë edhe një vend të NATO-s një ditë,” tha Pistorius në një intervistë për gazetën me qendër në Berlin, Der Tagesspiegel.
Ndërsa një sulm rus nuk ka të ngjarë “për momentin”, ministri shtoi: “Ekspertët tanë presin një periudhë prej pesë deri në tetë vjet në të cilën kjo mund të jetë e mundur”.
Vërejtjet nga Pistorius përkojnë me paralajmërimet e ministrit suedez të Mbrojtjes Civile Carl-Oskar Bohlin, i cili tha se “lufta mund të vijë në Suedi”.
Pistorius i tha Der Tagesspiegel se paralajmërimet suedeze ishin “të kuptueshme nga një perspektivë skandinave”, duke shtuar se Suedia u përball me “një situatë edhe më serioze”, duke pasur parasysh afërsinë e saj me Rusinë.
Suedia gjithashtu nuk është ende anëtare e aleancës së NATO-s, në pritje të miratimit nga Turqia dhe Hungaria.
“Por ne gjithashtu duhet të mësojmë të jetojmë përsëri me rrezik dhe të përgatitemi – ushtarakisht, shoqërisht dhe në aspektin e mbrojtjes civile,” theksoi Pistorius.
Të martën, e përditshmja gjermane më e shitur BILD raportoi se qeveria gjermane po përgatit një plan sekret për agresion të mundshëm rus kundër NATO-s, duke thënë më tej se Ministria e Mbrojtjes po përgatitet për një luftë të mundshme gjithëpërfshirëse evropiane në të ardhmen e afërt.
Sipas Bild, i cili ka parë planet, “skenari i stërvitjes” i skicuar nga qeveria gjermane parashikon një grumbullim të ardhshëm të trupave ruse në Bjellorusi dhe enklavën e Kaliningradit, territori më perëndimor i Rusisë, duke ushtruar presion në kufirin e Polonisë.
Në përgjigje të këtij kërcënimi në rritje, plani parashikon që NATO do të vendosë trupat e saj në Evropën Lindore, duke rritur tensionet në rajon.


