Australian Open/ Alcaraz avancon në 16-she, Ruud fitore me vuajtje ndaj djalit të shtëpisë

U luajtën ndeshjet e fazës së 1/32 për kompeticionin e parë të rëndësishëm Slam të këtij viti, “Australian Open”.

Numri dy i botës, Carlos Alcaraz arriti të kalonte me jo pak vështirësi italianin Lorenzo Sonego.

Tenisti nga Murcia fitoi me rezultatin 3-1 (6-4, 6-7, 6-4, 7-6) në një sfidë që zgjati plot 3 orë e 30 minuta.

Alcaraz e nisi më mirë takimin ndaj Sonegos, me këtë të fundit që u përpoq të rivalizonte 20-vjeçarin, por pa mundur të ketë sukses.

Me këtë fitore, spanjolli kaloi në fazën tjetër të turneut, ku do të gjejë përballë kinezin Juncheng Shang, i cili nga ana e tij eliminoi indianin Sumit Nagal.

Në ndeshjen tjetër në Melbourne, Casper Ruud arriti të kalonte me shumë vuajtje australianin Max Purcell.

Takimi që zgjati për afro 4 orë u mbyll më shifrat 3-2 (6-3, 6-7, 6-3, 3-6, 7-6) në favor të norvegjezit.

Sfida ishte maksimalisht emocionuese, e cila u vendos vetëm nga raundi “Tie-Break”. Disavantazh për Ruud në këtë duel ishte publiku vendas që ishte tifoz me “djalin e tyre të shtëpisë” 25-vjeçarin Purcell.

Me këtë sukses, Ruud kaloi në 16 më të mirët, aty ku do të gjejë përballë britanikun Norrie, që mundi me shumë vështirësi italianin Zeppieri.

Ndeshja më e fortë e kësaj faze pritet të jetë ajo e Jannik Sinner që do të sfidojë argjentinasin Sebastian Baez. Deri më tani nuk ka pasur surpriza në turneun e Australisë, me tenistët më të mirë që kanë avancuar përpara.