Do luhet sërish Atletico-Real, ja çfarë deklaron Ancelotti para derbit

Vetëm pak ditë pas Superkupës së Spanjës, Atletico Madrid dhe Real Madrid do të vendosen përsëri përballë njëri-tjetrit, por këtë herë në Kupën e Mbretit, me sfidën e vlefshme për raundin e 1/8-ave të këtij kompeticioni.

Në prag të kësaj sfide foli trajneri i “Los Blancos”, Carlo Ancelotti, që gjatë konferencës së tij, tregoi se ka pasur një bisedë interesante edhe me ish-trajnerin e tij në kohën te Milani, Arrigo Sacchi që njëkohësisht është edhe ish-trajner i Atletico Madrid.

“Më pëlqen atmosfera që kemi në klub dhe në dhomat e zhveshjes. Ky është suksesi, shpirti i fortë i ekipit. Dhe ne po luajmë futboll të mirë, solid dhe me ide të qarta.

Këto nuk janë vetëm fjalët e mia, Sacchi m’i tha dje në telefon këto, atmosferë e mirë, ekip që luan me shpirt dhe duke një skuadër që bënë një futboll të mirë. Ne jemi këtu pas një suksesi shumë të rëndësishëm në Superkupë, që për të shkuar te trofeu u përballëm edhe me Atleticon dhe fituam”, tha fillimisht Ancelotti.

Kjo do të jetë sfida e tretë në këtë sezon kundër Atleticos, por çfarë pret Ancelotti nga kjo sfidë, për më tepër që do të luajë në transfertë.

“Do të jetë një ndeshje më e komplikuar se në Superkupë, sepse Atletico është një skuadër shumë e fortë në shtëpi. Nuk mendoj se derbit e mëparshëm na japin një avantazh psikologjik. Çdo ndeshje është e ndryshme. Provokimet në stadium gjatë ndeshjes? Nuk kemi punuar fare për këtë. Po luajmë kundër një kundërshtari shumë të vështirë, është një ndeshje mes dy skuadrave që mund të fitojnë turneun dhe kjo flet për nivelin e duelit, aq më tepër që gjithçka do të vendosen në këtë ndeshje” – përfundoi trajneri i Real Madrid.