Dabulla ekzaminon Tiranën: Mbrojtja skandal! Reparti më i paguar në kampionat dhe që pëson më shumë
Ish-futbollist i kombëtares, Rezart Dabulla, komentoi në emisionin Ora Sport, në Ora News, ecurinë e Tiranës në kampionat.
Duke analizuar bardheblutë, Dabulla, theksoi se problemi më i madh i Tiranës, është mbrojtja.
“Tirana nuk është solide në repartin e mbrojtjes sepse pëson shumë gola për gabime në vendosje, por edhe gabime individuale. Është ekip që pëson shumë gola dhe nuk mund të dalësh kështu kampion. Nëse do të ishte një ekip tjetër, psh Partizani, do të ishte shumë e vështirë që ato dy gola që pësuan shumë kollaj nga Dinamo, ti rikuperonin. Kur ke një lojtar që mund të luaj në disa pozicione është pozitive për ekipin”, tha ish-mbrojtësi kampion me Tiranën.
Dabulla sugjeroj se lojtarët duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin, ndryshe do ta kenë të vështirë.
“Mbrojtja e Tiranës deri në këtë moment është e dyta më e dobët e kampionatit dhe për ironi më e paguara në kampionat. Reparti difensiv i Tiranës merr 25 mijë euro në muaj. Rezultatet nuk i kanë për paratë që marrin. Kur pëson kaq shumë gola tregon që mbrojtja nuk është e qetë. Tirana shënon vërtet, por pëson shumë.
Kur ka pasiguri ekipi bëhet shumë i vështirë, nëse do të luash me një kundërshtar shumë të fortë dhe pëson dy gola nuk mund ta fitosh ndeshjen. Kapiteni i ekipit është në mbrojtje. Hoxhallari apo Najdovski duhet të thërrasi shokët e mesfushës të vijnë në ndihmë kur janë në vështirësi.
Aty ka lojtar që edhe mund të neglizhojnë. Në Tiranën time kur luaja unë, i thërrisnim shokut që të afrohej kur kishim vështirësi në mbrojtje. Kishim komunikim”, u shpreh Dabulla.


