“Dita e Alfabetit” shpallet festë kombëtare
22 nëntori do të jetë ditë pushimi, pas një vendimi që ka marrë Edi Rama në samitin e fundit të diasporës që u zhvillua disa javë më parë.
Rama ka vendosur që dita e alfabetit të jetë ditë pushimi për administratën, si një ditë që bashkon shqiptarët kudo që janë të shpërndarë.

“Kryeministri i shqipërisë e njoftoi në prani të përfaqësuesve të diasporës shqiptare” tha ministri i jashtëm Igli Hasani gjatë konferencës me gazetarët pas mbledhjes së këshillit të ministrave. Qeveria ka vendosur thjesht që do t’i propozojë parlamentit që 22 nëntori të shpallet ditë pushimi.
Kongresi i Manastirit ishte një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor dhe 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Data 22 nëntor përbën një ditë përkujtimuese në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit dhe tani do të shpallet zyrtarisht festë. Para kongresit të Manastirit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh.
