Yzedin Hima: Lamtumira e Artistit
Në nderim të piktorit Nexh Musaj
Sot (dje) pushoi zemra e piktorit të njohur nga qyteti i Beratit, Nexhmedin Musaj. Ikja e tij e befasishme dhe e parakohshme ka tronditur thellë familjarët, shokët, miqtë dhe të afërmit e tij.
Nexhi, siç i thërrisnin shokët, është i njohur si artist i penelit me mjaft vepra, që sot gjenden në galeritë e artit në Tiranë, Berat, etj.
Ai ka marrë pjesë në mjaft ekspozita në qytetin e Beratit, në Tiranë dhe në qytete të tjera brenda dhe jashtë vendit. Punimet e piktorit Nexhmedin Musaj, realizuar me mjeshtëri prej tij, kanë tërhequr vëmendjen e dashamirësve të artit, koleksionistëve dhe studiuesve të pamorartit.
Nexhi u shfaq me veprat e tij që në fillim të viteve ’90 në një ekspozitë të suksesshme me miqtë e tij artistë nga qyteti i Beratit.
Në këtë ekspozitë morën pjesë Nexhmedin Musaj, Kastriot Dervishi, Arben Golemi, Gazmend Muka dhe Agron Polovina. Kjo shfaqje e artit të penelit në Galerinë e Artit “Eduard Lear” në qytetin e Beratit ka mbetur në kujtesën e qytetarëve të Beratit për nivelin e lartë artistik, për simbolikën e saj.
Posteri që njoftonte ngjarjen artistike kishte formën e dorës së lirë me pesë gishtat, ku shkruheshin emrat e pesë piktorëve nga qyteti i Beratit. Për herë të parë artistët shfaqën vepra në pikturë, punuar pa frikën e censurës dhe autocensurës.
Punimet e Nexhit tërhoqën vëmendjen për vizatimin ekspresiv, ngjyrat plot dritë dhe lirshmërinë e lëvizjes së penelit.
Nexhi e vazhdoi krijimtarinë e tij me mjaft arritje dhe ekspozime.
Pikturat e tij kërkoheshin mjaft nga galeri arti, njohës dhe koleksionistë arti brenda dhe jashtë vendit.
Si mik e koleg me Nexhin në institucionet artistike të Beratit, ruaj si kujtime të çmuara dy vepra të realizuara dhe dhuruara nga piktori i shquar dhe miku im Nexhmedin Musaj të titulluara “Mangaleimi” dhe “Portë në Mangalem”.
Sot (dje) pushoi zemra e piktorit Nexh Musaj. Shpirti i tij i butë fluturoi në qiell. Ai iku nën shenjat a artit që la tej ne, fjalës së ëmbël, humorit të hollë.



