Bardhi: S’ka qetësi në Kuvend, kemi besim te SPAK, Lulzim Basha i mirëpritur nëse bën opozitë
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi në një intervistë për Ora News ka thënë se nëse mazhoranca nuk plotëson kërkesat e opozitës atëherë edhe ky sesion parlamentar nuk do të jetë i qetë. Bardhi foli për nevojën urgjente për bashkimin e opozitës, ndërsa tha se dera është e hapur edhe për Lulzim Bashën, por me kushtin që ai të bëjë opozitë!
Javën e ardhshme parlamenti do të rinisë me tensione. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi shprehet se aksioni në Kuvend do të vazhdojë. Madje sesioni sipas tij nuk do të jetë aspak i qetë.
“Nuk kemi përjashtuar asnjë opsion në aksionin tonë në Kuvend. Do të vendosë grupi parlament në një mbledhje para sesionit të ri për të vendosur nëse do të përshkallëzohet aksioni.”
Viti 2024 e ka gjetur PD të përçarë dhe ish-kryeministrin Sali Berisha nën arrest në shtëpi. Për këto bardhi shton se po diskutohen termat konkret të një bashkimi.
“Jam i bindur se shumë shpejt do të finalizojmë një projekt për bashkim brenda partisë dhe me partitë opozitare.” Në të kundërt nga Sali Berisha, Bardhi nuk ka vija të kuqe për bashkëpunim me Lulzim Bashën, por ka një kusht.
“Po flisja për denoncime ndaj qeverisë Edi Ramës. Nuk e kam parë Bashën që të jetë i angazhuar në këtë veprimtari opozitare. Kanë gjithë kohën para që ta bëjnë.”
Bardhi ndahet nga Sali Berisha edhe kur pyetet për SPAK të cilin ish-kryeministri e çuan organizatë kriminale.
“Sa kohë i drejtohemi këtyre institucioneve u japim besim që të përmbushin detyrën brenda ligjit.”
Në cilësinë e kallëzuesit në SPAK të çështjes McGonigal Bardhi u shpreh se ka komunikuar me kreun e prokurorisë së posaçme altin dumani për këtë çështje por gjithçka deri më tani është konfidenciale.


