Çupi: I kam kërkuar ILDPKI-së të fillojë hetim administrativ për kryebashkiaken e Bulqizës

Deputetja e PD Dhurata Çupi i ka kërkuar ILDPKI-së hetim administrativ për kryebashkiaken e bashkisë së Bulqizës, Festime Mjeshtri.

Sipas Çupit, kryebashkiakja Mjeshtri duhet të hetohet pasi është në konflikt interesi (motër dhe vëlla), me administratorin e njësisë së Ostrenit.

Me 24 dhjetor Pasi është njohur me faktet gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër vendosi masën arrest me burg për Administratorin e Njësisë Administrative Ostren, Luan Mjeshtri (vëllai i kryebashkiakes së Bulqizës, Festime Mjeshtri” dhe Arlin Limani, Specialist i Shërbimit Social.

Ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën duke falsifikuar dokumente të Gjendjes Civile për të pajisur qytetarë të ndryshëm me vërtetime se banonin në Njësinë Administrative Ostren me qëllim regjistrimin në shoqatën “Golloborda” në mënyrë që të përfitonin dokumente si shtetas bullgar.

Postimi i plotë:

Nisur nga situata e paligjshmërisë dhe konfliktit të interesit në Bashkinë Bulqizë, i kam kërkuar sot Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin e Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave që të fillojë urgjentisht një hetim administrativ, të konstatojë situatën e konfliktit të interesit ndërmjet kryebashkiakes në detyrë dhe administratorit të Njësisë Administrative të Ostrenit, motër e vëlla, si dhe të ndërmarrë masat e tjera ndëshkuese në përputhje me ligjin.

Funksionarët e lartë publikë dhe veçanërisht të zgjedhurit duhet të ushtrojnë detyrën me integritet, transparencë dhe përgjegjshmëri në shërbim të interesit publik dhe jo interesave personale a familjare.