Nga tuneli i Llogorasë tek unaza e madhe e Tiranës, Rama: Investimet e shumëpritura përfundojnë këtë vit
Viti 2024 do të shënojë dy momente të rëndësishme për infrastrukturën rrugore, fillimisht me dorëzimin e tunelit të Llogorasë, për të cilin kanë nisur punimet në nëntor të 2021-shit dhe segmentit Thumanë-Kashar, një nga akset e rëndësishme të Korridorit Blu, që për shkak të volumeve të trafikut nga ngarkesa që ndodh në Fushë Kruje apo nyjën e Rinasit, ka bërë që të ndjehet nevoja për të gjetur një zgjidhje.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se 2024 shënon përfundimin e disa prej veprave më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, duke shkurtuar distancat e lehtësuar lëvizjen. “Investime të shumëpritura prej vitesh, nga Jugu në Veri”, u shpreh Rama.
Në muajin dhjetor, qeveria parashikon përfundimin e Rrugës së Arbrit, një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit. Ajo do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme lidhjen e Dibrës me Tiranën, duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e zonave në të cilën kalon.
Po ashtu, do të përfundojnë edhe të gjitha lotet e Unazës së Madhe të Tiranës, një segment prej 27 kilometrash, e cila do lidhë kryeqytetin me gjithë rrugët dalëse kombëtare.
Janë një sërë aksesh rrugore si Elbasan- Qafë Thanë, faza e parë dhe e dytë, Orikum-Dukat, Palasë-Dhërmi, rruga Korçë-Ersekë, rruga lidhëse e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës me autostradën Fier-Vlorë, që pritet të dorëzohen brenda 2024-ës.

