Konsumatorët presin ulje çmimesh, por bizneset paralajmërojnë rritje

Besimi në ekonomi ka shënuar rritje me 2.2 pike përqindje duke shënuar vlerën e 111.9 % gjatë muajin dhjetor.

Sektorët që kanë kontribuar në këtë performancë janë ai i ndërtimit, shërbimeve dhe tregtisë. Sipas raportit më të fundit të publikuar nga Banka e Shqipërisë besimi në industri u rrit me 0.5% kjo për shkak të kontratave porositëse.

Sa i takon prirjeve për të ardhmen në këtë sektor, punësimi, prodhimi dhe çmimet pritet të jenë pothuajse në të njëjta nivele me një muaj më parë.

Ndërtimi vazhdon të ecë me ritme të shpejta. Vetëm në dhjetor besimi në ndërtim u rrit me 9.1%, kjo për shkak të aktivitetit aktual të ndërtuesve dhe numrin e lartë të porosive.

Gjithashtu në të ardhmen bizneset presin që çmimet dhe punësimi të rriten.

Sa i takon besimit në shërbime, ky tregues u rrit me 2.6 pikë të ndikuar nga ecuria aktuale e aktivitetit dhe nivelin e kërkesave. Bizneset në këtë sektor presin që të rriten çmimet dhe punësimi në të ardhmen.

Ndryshe nga këta sektorë, ai i tregtisë ka mbetur i pandryshuar për treguesin e besimit dhe pritshmëritë në të ardhmen në krahasim me një muaj më parë.

Edhe besimi i konsumatoreve thuajse ka mbetur në “vend” kjo për shkak të situatës së përgjithshme ekonomike, gjendjes financiare dhe blerjeve në shuma të mëdha në të ardhmen.