Pronat në bregdet, ministri Mete: Do të rishikohen çmimet e referencës

Pronat në bregdet mund të pësojnë rritje këtë vit, pasi do të ketë rishikim të çmimeve të referencës në këto zona.

Në një konferencë për mediat këtë të premte, ministri i Financave Ervin Mete tha se Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar një udhëzim të ri, i cili vendos një rregull të ri lidhur me taksimin e kalimit të pronësisë, sipas të cilit çmimet e referencës do të amortizohen me 1% në vit në varësi të moshës së ndërtesës.

“Në kuadër të ligjit ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ është hartuar edhe udhëzimi i ri, lidhur me taksimin e kalimit të pronësisë, ku kemi gjetur me vend të vendosim një rregull të ri, në bazë të të cilit çmimet e referencës do të amortizohen me 1% në vit në varësi të moshës së ndërtesës.

Gjatë këtij viti, do të ketë një rishikim të çmimeve të referencës edhe në bregdet, me ndarje zonash të caktuara, që do të reflektojnë rritjen e çmimeve në këto zona”, tha Mete.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete deklaroi sot se ekonomia shqiptare vlerësohet si një nga ekonomitë më rezistente dhe me ecurinë më pozitive në rajon, me pritshmëri për rritje të mëtejshme.

“Viti që lamë pas ishte një vit i mirë dhe pozitiv për ekonominë dhe financat e vendit, ndoshta fundviti i parë kaq i qetë në terma të përballjes me një sërë ngjarjesh dhe krizash që kemi kaluar gjatë viteve të fundit. Shqipëria dhe ekonomia shqiptare vlerësohet edhe nga FMN dhe BB si një nga ekonomitë më rezistente dhe me ecurinë më pozitive në rajon, me pritshmëri për rritje të mëtejshme”, u shpreh ai nga Kryeministria, në konferencën për shtyp mbi zhvillimet e vitit 2023 dhe pritshmëritë për këtë vit.

Mete bëri të ditur se si rezultat i progresit në zbatimin e rekomandimeve Shqipëria doli nga lista gri e MONEYVAL-it.

“Në fund të vitit të kaluar, morëm lajmin e mirë të daljes nga lista gri e “FATF/MONEYVAL”, si rrjedhojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve. Ky zhvillim sjell një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit”, tha Mete.

Po ashtu, vijoi ai, “Standard and Poor’s” rishikoi në rritje perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme në pozitive, për herë të parë pas 7 vitesh.

“Me ecurinë pozitive të ekonomisë, të ardhurat e larta, trendin ulës të borxhit, si edhe me avancimin e procesit të negociatave drejt Bashkimit Evropian, është hapur rruga për një kalim në një kategori më të lartë nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit”, deklaroi ministri i Financave.

Ai u ndal dhe tee curia e negociatave për integrimin në BE, ku veçoi progresin në shërbimet financiare.

“Kemi pasur një ecuri shumë pozitive të negociatave, vlerësuar lart edhe nga ekspertët e Komisionit Evropian, shprehur kjo edhe në Raportin e Progresit, ku veçanërisht një pjesë e mirë e kapitujve që lidhen me ekonominë dhe financat kanë marrë vlerësime pozitive, dhe në kapituj të caktuar, si në rastin e shërbimeve financiare, renditemi me vlerësimin më të lartë në rajon”, u shpreh Mete.

Praktikisht, deklaroi Mete, ekonomia po hyn në një fazë të re zhvillimi. Patëm një vit të jashtëzakonshëm turistik, nivele të larta të investimeve të huaja direkte, një performancë të mirë të të ardhurave, si dhe shifra në ulje të papunësisë.