Shqipëria pritet të përfitojë deri në 1 miliard euro nga Plani i Rritjes i Komisionit Europian

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete deklaroi sot Shqipëria pritet të përfitojë deri në 1 miliard euro, në formën e granteve dhe kredive të buta nga Plani i Rritjes i prezantuar nga Komisioni Europian.

“Plani i Rritjes, i prezantuar së fundmi nga Komisioni Evropian, i cili pritet të shërbejë si shtysë për përshpejtimin e procesit të integrimit dhe reformave, do të shoqërohet me një paketë domethënëse financiare për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku vendi ynë pritet të përfitojë deri në 1 miliardë Euro, në formën e granteve dhe kredive të buta, krahas mbështetjes që merr aktualisht nga programet IPA”, theksoi ai në konferencën për shtyp mbi zhvillimet e vitit 2023 dhe pritshmëritë për këtë vit .

Ky Plan Rritjeje i BE-së, vuri në dukje ministri, synon të sjellë për vendet e rajonit disa nga përfitimet e anëtarësimit, përpara hyrjes zyrtare në BE, si edhe të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike, si mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe mes tyre dhe Bashkimit Europian.