Apeli injoron hapur vendimin njehsues të Gjykatës së Lartë, miraton sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të gazetarit Qyno
Lihet në fuqi vendimi nr.501 i Gjykatës së Shkallës së Parë që lejoi kontrollin e banesës, të makinës, vendit të punës dhe kontrollin fizik të gazetarit Elton Qyno.
Vendimi u mor sot nga Gjyqtarja e Apelit Danjela Shirka, e cila sot rrëzoi kërkesën e gazetarit Qyno për prishjen e vendimit nr.501 të marrë në 13 dhjetor 2023 nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj.
Avokati Dorian Matlia paralajmëroi nisjen e procedurës së kërkesave për procedim disiplinore pranë ILD ndaj dy gjyqtareve, Zeqiraj dhe Shirka.
Njëherësh avokati i gazetarit Elton Qyno paralajmëroi rekurs në Gjykatën e Lartë, sapo të zbardhet vendimi i gjyqtares së Apelit, Daniela Shirka.
Shirka, injoroi kërkesën e gazetarit Qyno për prishjen e vendimit të shkallës së parë.
Njëherësh Shirka injoroi të gjitha thirrjet e komunitetit ndërkombëtar të gazetarëve në Europë, të cilët kërkuan kthimin e paisjeve të punës dhe sendeve personale, familjare të gazetarit Qyno.
Për rastin e paprecedentë ndaj gazetarit Qyno, dy ditë më parë reaguan organizatat më të njohura në botë që mbrojnë gazetarët dhe liritë e tyre.
“Reporterët pa Kufij” shkruajnë si më poshtë vijon:
“...Shqipëri: Sekuestrimi i aparaturave të gazetarit Elton Qyno nga prokurorët antikorrupsion pas raportimit të tij për krimin e organizuar, kërcënon fshehtësinë e burimeve konfidenciale.
“Reporterët pa kufij” i kërkon Gjykatës së Posaçme të Apelit, e vendosur në 5 janar, të urdhërojë kthimin e pajisjeve të gazetarit...”.
Ndërkohë në të njëjtën linjë doli dhe organizata "Safe Journalists", e cila në një postim të sajin në platformën "X", bëri thirrje që gjykata të kthejë pajisjet dhe njëkohësisht të këmbëngul që të përmbahet në të ardhmen nga nisja e çështjeve që rrezikojnë burime gazetarësh.
“...@WB Journalist” i kërkon Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të urdhërojë SPAK-un t'i kthejë të gjitha pajisjet Elton Qyno-s dhe këmbëngul që të përmbahet në të ardhmen nga nisja e çështjeve që rrezikojnë burime gazetarësh..." - thuhet në deklaratën e Organizatës "Safe Journalists".
Po kështu reagim tjetër erdhi dhe nga Federata Europiane e Gazetarëve, e cila është organizata më e madhe e gazetarëve në Evropë.
Reagimi erdhi përmes Ricardo Gutierrez, Sekretarit të Përgjithshëm, i cili shpreh shqetësimin e tij për rastin në fjalë, ku një gazetari i kanë marrë në mënyrë të paligjshme, pajisjet e punës dhe sendet personale dhe familjare, me qëllimin e vetëm të zbulimit të burimeve.



