Balla: Finalizohen operacionet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi sot pas finalizimit me sukses të 3 operacioneve në Francë, Gjeorgji dhe Gjermani, për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare.
““Sundimi i Ligjit” është operacioni më i madh i Policisë së Shtetit me shtrirje, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese partnere, për lokalizimin, ndalimin dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar”, u shpreh Balla.
“Falë shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe agjencive të vendeve partnere u finalizuan me sukses 3 operacione në Francë, Gjeorgji dhe Gjermani, për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Ndërsa gjatë mbrëmjes së djeshme, në Aeroportin “Nënë Tereza” Policia Kufitare ka ndaluar një shtetas të kërkuar për llogari të drejtësisë poloneze”, theksoi ai.
Balla përgëzoi Interpol Tirana, Fast Albania, Njësinë Antiskifter dhe strukturat e tjera të Policisë së Shtetit, të cilët u shpreh ai, “e kanë kuptuar më së miri se duhet t’i japim fund arratisë dhe pandëshkueshmërisë së “të fortëve”, persona me rrezikshmëri të cilët duhet të vendosen para drejtësisë”.
