Bruno Telushi: Peng kam largimin nga Partizani, Elbasani kthehet në elitë si kampion
Mesfushori i Elbasanit, Bruno Telushi, foli në emisionin “Sport Focus”, moderuar nga Drilon Xhepollari në Ora News, për barazimin 2-2 kundër Bylisit, por gjithashtu edhe për objektivat sezonal.
“Ushtar” Telushi thotë se pengu i vetëm është largimi nga Partizani, por ndihet mirë që iu bashkua projektit të Elbasanit për t’u kthyer në Superligë.
Tifozët në Elbasan – “Një atmosferë shumë e bukur sepse ishte një ndeshje e Kategorisë së Parë. Tifozët e Elbsanit janë të flakët dhe e presin me padurim kthimin në Superligë. Tifozët e bën edhe më të bukur këtë ndeshje me rivalin direkt për titull”.
Atmosfera – “U krijua ideja sikur ishte një ndeshje derbi, edhe në Superligë nuk ka patur kaq tifozë sa në ndeshjen Elbasani-Bylis. Energjia e tyre për të na mbështetur ne, e bëri edhe më të bukur këtë sfidë”.
Gara për titull – “Çdo ekip këtë vit ka investuar shumë në merkato duke afruar shumë lojtarë të Superligës dhe kjo ka bërë që tifozët të jenë më të shumë. Shpresoj që të vazhdoj kështu, të na mbështesin në çdo ndeshje”.
Barazimi – “Me fitoren do të shkonim në vend të parë, por edhe me këtë rezultat jemi të kënaqur, edhe pse bëm një ndeshje shumë të mirë”.
Miqtë nga Partizani – “Me disa nga çunat e Partizanit kisha folur para ndeshjes. Muratajn më tregoi një bisedë me Bitrin dhe ai i kishte thënë se do të shënoj gol disa sekonda para se unë të realizoja për 2-2. Bitri ndjek çdo ndeshje kur vjen në Shqipëri”.
Pengu i madh – “Nuk dua të flas shumë për largimin nga Partizani, por sigurisht që e kam peng mënyrën sesi u largova”.
Oferta e Elbasanit – “Jam i lumtur që iu bashkova Elbasanit, është një projekt shumë ambicioz. Objektivi ynë është të ngjitemi në Superligë si kampion dhe do ta realizojmë, edhe pse ka shumë konkurrencë. Jemi shumë më lartë nga të gjithë kundërshtarët”.
“Ushtar Telushi” – “Tifogrupi “Tigrat” janë një grup i veçantë, më kanë mbështetur edhe te Partizani. Njihemi mirë dhe më vjen mirë që kemi këtë marrëdhënie”.
