Inzaghi e kthen Interin në “bunker”, vetëm një skuadër europiane më mirë se mbrojtja zikaltër

Inter kryeson me meritë Serie A pas 16 javëve të para teksa zikaltërit e drejtuar nga Simone Inzaghi janë të shkëputur me katër pikë nga ndjekësit e Juventus të vendit të dytë dhe me nëntë pikë nga Milani i vendit të tretë.

Shifrat nuk “gënjejnë” dhe Inter deri në këtë pikë të sezonit është shfaqur si makineria perfekte.

Sulmi dhe mbrojtja më e mirë e Serie A aktualisht i përkasin atyre.

Lautaro Martinez dhe Marcus Thuram kanë bërë një punë të shkëlqyer në ofensivë, të dy së bashku kanë realizuar 22 gola nga 39 që ka shënuar Inter deri më tani, pa lënë mënjanë edhe tetë asiste të dyshes.

Por, nëse mbrojtja nuk do të kishte efekt, atëherë edhe shifrat e Lautaros me Thuram, ndoshta nuk do të kishin të njëjtën vlerë.

Kështu, Inzaghi e ka kthyer Interin në një “bunker” të vërtetë me zikaltërit që kanë pësuar vetëm shtatë gola pas 16 ndeshjesh dhe janë jo vetëm mbrojtja më e mirë në Serie A, por edhe në pesë kampionatet kryesore të Europës.

Kështu, Inter ka pësuar më pak se kryesuesit e Premier League, Arsenal (15 gola), kryesuesit e Bundesligës, Bayer Leverkusen (12 gola), Real Madrid, vendi i dytë në Spanjë me 12 ndërsa zikaltërve i afrohet vetëm Nice e vendit të dytë në Francë që ka pësuar pas 16 ndeshjesh, nëntë gola.

Ndërkohë, nëse zgjerojmë paksa horizontin, vetëm një skuadër europiane ka bërë më mirë se Inter në aspektin difensiv, PSV në Holandë.

Këta të fundit i kanë fituar të 16 ndeshjet e Eredivisie dhe deri më tani kanë pësuar vetëm gjashtë gola.

Ndërkohë, Inter ruan kryesimin edhe sa i takon ndeshjeve në të cilën e ka ruajtur portën e paprekur. Sommer dhe mbrojtësit para tij, ia kanë dalë ta mbyllin ndeshjen me 0 gola të pësuar në plot 11 ndeshje.

Difensiva zikaltër edhe në këtë statistikë nuk ka rivalë teksa gardiani zvicerian i italianëve lë pas në këtë renditje, Marcin Bulka të Nice me 10 ndeshje pa pësuar gol, Lucas Crevellier të Lille me nëntë ndeshje pa pësuar si dhe dyshen e Juventus, Szczesny-Perin që të alternuar ia kanë dalë të mos pësojnë në nëntë raste.

Edhe në këtë pikë, nëse dalim jashtë pesë kampionateve kryesorë të Europës, sërish Interit dhe Sommer i afrohet vetëm PSV.

Madje, në këtë rast, Sommer dhe gardiani i holandezëve, Walter Benitez janë barazim, pasi edhe ai 11 ndeshje i ka mbyllur pa pësuar gol.