Shkëmbeu fanellën me Messin, lojtari i Espanyol: E kam mbajtur ashtu të djersitur nën jastëk, pa e larë për muaj të tërë
Shkëmbimi i fanellave me Leo Messin është diçka që mund të vlejë sa një trofe i fituar.
Matias ‘Monito’ Vargas e filloi karrierën e tij në vendlindje me Velez, më pas në vitin 2019, kur ishte 22 vjeç, mbërriti në Europë, duke nënshkruar për Espanyol në Spanjë.
Prandaj, ai ishte në gjendje të luante jo çdo ndeshje kundër Messit, por e bëri në derbin e Barcelonës.
Kjo ndodhi 6 muaj pas mbërritjes së tij.
Vargas nuk do ta harrojë atë 4 janar 2020, sepse arriti të shkëmbente fanellat me tetë herë fituesin e “Topit të Artë”.
Një moment i paharrueshëm në jetën e tij, të cilin Vargas e rrëfeu në një intervistë me “Fox Sports”, duke e trajtuar atë fanellë si diçka të shenjtë: “Kur mbërrita tek Espanyol, kisha një ndalim absolut për të folur mbi Messin. Atje më këshilluan se nuk mund të thoja asgjë për Messin.
Iu thashë: Po nëse më pyesin se kush është më i miri në botë? Nuk do të them Ronaldo apo Mbappe, nuk mund të gënjej për këtë”.
Më pas ai foli për shkëmbimin e fanellave me Messin: “Kam luajtur kundër tij dhe kemi shkëmbyer fanellat. Disa shokë të skuadrës që ishin mësuar të luanin me Leon më thanë: Kërkoja fanellën, ti je argjentinas. Ai ma dërgoi.
Nuk mund të flisja me të në fushë, sepse në atë ndeshje barazuam dhe ai doli shumë i nxehur. Unë dërgova fanellën time në dhomën e tij të zhveshjes dhe ai më dërgoi të tijën”.
Pjesa më interesante e historisë lidhet me mënyrën sesi mesfushori 26-vjeçar argjentinas u kujdes për atë fanellë të çmuar për muaj të tërë: “Gjëja intime që do të tregoj është se kam fjetur me atë fanellë poshtë jastëkut për dy ose tre muaj. Pa e larë, por të djersitur, ashtu siç ishte kur e mora.
Erdhi nëna ime dhe më tha: Më lër ta laj. Unë iu ktheva: Mos e laj, mos e prek. E varja çdo mëngjes dhe kur shkoja të flija e merrja dhe e prekja, e mbaja poshtë jastëkut”.
