Tirana i jep lamtumirën Florent Hasanit: Kjo fanellë do të mbetet gjithmonë shtëpi për ty

Florent Hasani duke filluar nga janari do të jetë një futbollist i skuadrës së Rapid Bukureshtit, pasi ka finalizuar pak ditë më parë kalimin e tij te klubi rumun.

Sulmuesi ka firmosur kontratën që e lidh me këtë kub dhe nuk do të luajë më me ngjyrat bardheblu të Tiranës që ka përfaqësuar në sezonet e fundit.

Klubi i Rapid ishte ai i cili zyrtarizoi firmën me futbollistin ndërsa sot ka ardhur edhe “lamtumira” nga Tirana nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale të bardhebluve që i kushtohej sulmuesit të saj kryesor në vitin e fundit.

“Faleminderit Florent Hasani.

KF Tirana njofton transferimin e lojtarit Florent Hasani në klubin rumin të FC Rapid Bucuresti dhe shpreh mirënjohjen për kontributin e lojtarit dhe punën e tij të palodhur.

Faleminderit për emocionet e panumërta sa herë ke tundur rrjetën.

Kjo fanellë do të mbetet gjithmonë shtëpi për ty. Suksese në rrugëtimin tënd të ri. Të lumtur që arritëm të nxirrnim në pah cilësitë e lojtarit të madh që je”, shkruhej në postimin e bardhebluve.