Tronditet NBA/ Policia arreston basketbollistin dhe të dashurën e tij për vrasjen e një 23-vjeçareje

Një ngjarje tronditëse ka pushtuar basketbollin amerikan. Çens Komançi, lojtar i NBA, është arrestuar bashkë me të dashurën e tij me akuzën e rrëmbimit dhe vrasjes së një 23-vjeçareje, në rrethana ende të pashpjeguara nga organet e rendit.

Policia e Las Vegasit lëshoi urdhër arresti për basketbollistin 27-vjeçar të Stokton Kings, ekipi i dytë i Sakramento Kings që merr pjesë në G-League, dy ditë pasi kishte arrestuar të dashurën e tij 19-vjeçare, Sakari Harnden, pasi i akuzon se kanë përpiluar planin për të vrarë 23-vjeçaren Marajna Roxhers.

Policia kishte nisur hetimet pasi ishte sinjalizuar se Roxhers ishte zhdukur dhe kërkimet kishin sjellë në përfundimin se basketbollisti dhe e dashura e tij kishin qenë personat e fundit që ishin parë me të.

Pasi morën në pyetje Harnden, ata më pas nisën kërkimet për trupin dhe autoritetet lokale kanë konfirmuar se është gjetur kufoma e personit të humbur në një zonë të shkretuar në Nevada.

Menjëherë më pas u lëshua urdhër-arresti për basketbollistin të cilit iu vunë prangat këtë të diel.

Komançi ka qenë pjesë e skuadrave të NBA që nga viti 2017 kur u zgjodh në draft nga Memfis, por gjithmonë duke luajtur me skuadrat e G-League, teksa një sezon ka luajtur edhe në basketbollin turk me Ankara DSI.

Ai ka luajtur vetëm një ndeshje në NBA, duke veshur fanellën e Portland në sezonin e kaluar.