Hasani: Mezi pres të luaj përpara tifozëvë të Rapidit, çfarë më tha Rrahmani
Florent Hasani e mbylli me Superioren. Golashënuesi më i mirë deri në këtë fazë të sezonit, me 10 gola, u transferua nga Tirana te Rapidi i Bukureshtit siç njoftoi SuperSport gjatë ditës së shtunë.
Sulmuesi nga Vushtrria, i cili aventurën me rekordmenët e futbollit shqiptar e mbylli me 29 gola të realizuar, ka folur për sajtin e klubit rumun. Ku ndër të tjera tha:
“Përshëndetje për të gjithë tifozët e Rapidit, faleminderit për mikpritjen. Që kur nisa bisedimet me këtë klub, unë doja ta mbyllja sa më mirë në Shqipëri dhe të bëhesha futbollist i Rapidit.
Mezi po pres të vij në Bukuresht, të luaj përpara tifozëve të rinj dhe të realizojmë objektivat e klubit. Di diçka për kampionatin rumun dhe Rapidin. Disa miq më kanë folur gjëra të mira për Rapidin.
Gjithashtu kam biseduar me Albionin (Rrahmani), i cili më foli për klubin, njerëzit këtu dhe tifozët e mrekullueshëm.
Objektivat e mi? Kur je futbollist profesionist, duhet të fokusohesh fillimisht te objektivat e ekipit, të luftosh për to, të japësh gjithçka dhe më pas të mendosh për qëllimet e tua personale.
Mendoj se gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi në krye të tabelës. Tifozët të vazhdojnë kështu, së bashku të bëjmë një punë të shkëlqyer. Respekt dhe dashuri për tifozët”, përfundoi Hasani.
Ai do të ketë shok skuadre Albion Rrahmanin, pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Rapidi renditet në vendin e katërt pas javës së 20-të me 32 pikë. Nëntë më pak se FCSB e vendit të parë.


