Presidenti i FSHB-së, Ponari prezanton Ndojën si menaxherin e ri të Federatës Shqiptare të Basketbollit

Ish-basketbollisti i Kombëtares dhe kampion i Italisë me Virtus Bologna, Klaudio Ndoja, do të jetë menaxheri i ri i Federatës Shqiptare të Basketbollit.

Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari në fjalën e tij tha se, ai do të sjellë një frymë të re në Federatë dhe eksperienca e tij e vyer, do të ndikojë pozitivisht në rimodelimin që Federata po ndërmerr dhe në afrimin e talenteve të rinj, brenda dhe jashtë vendit.

‘’Shpresoj që ky staf do jetë një drejtim i ri për një synim të ri, për të dhënë një basketboll të ri’’, tha Ponari.

Ndoja u shfaq shumë i emocionuar, por i qartë në objektiva.

‘’Qëllimi im është që eksperiencën që kam marrë t’ja jap atyre fëmijëve’’, tha Ndoja.

Edhe pse i larguar nga Shqipëria që prej kur ishte 13 vjeç, Klaudio Ndoja rikthehet për të dhënë kontributin e tij në basketbollin për të gjitha grupmoshat.

Ai ka luajtur me ‘Desio’ për herë të parë në vitin 2001, më pas ka njohur dy ngjithe në ‘Serie A’ me Brindisin dhe Virtus Bologna-n.

Për të fituar më vonë tre kupa të Italisë dhe titullin kampion si kapiten i skuadrës.

Ndoja është edhe autor i një libri në shtetin përtej Adriatikut, “Vdekja është e sigurt, jeta jo”.

Ka takuar madje edhe Papën, por asnjëherë nuk e ka harruar origjinën e tij, Shkodrën.