Ballkani synon të bëjë mrekullinë në Zagreb, s’ka asgjë për të humbur

Ballkani nuk i ka humbur shpresat për kualifikim. Për të kaluar grupet e Conference League skuadra e Ilir Dajës duhet të fitojë në Zagreb, shoqëruar me mungesën e fitores së Astanës në Çeki përballë kryesuesve të Plzenit.

Ndeshja e parë e luajtur në “Fadil Vokrri” mes Ballkanit dhe Dinamos së Zagrebit, përfundoi me fitoren 2-0 të kampionëve dardanë (Kryeziu, Hamidi), që është deri tani i vetmi sukses i djemve të Ilir Dajës në grupin C.

Te Ballkani e kanë të qartë se nuk kanë asgjë për të humbur. Kryeziu (i dëmtuar) dhe Hamidi (i pezulluar) janë mungesat për teknikun Daja. Trajneri nga Tirana deklaroi gjatë konferencës për shtypin se skuadrën e tij e pret një ndeshje e vështirë, por Ballkani nuk ka asgjë për të humbur.