Mbrojtja e viktimave të krimit, Çela: Ndërgjegjësimi e informimi shtyllat kryesore

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, gjatë aktivitetit ku u prezantua strategjia ndër-sektoriale për mbrojtjen e viktimave të dhunës ndaj krimit 2024-2030, nënvizoi se ndërgjegjësimi dhe informimi janë shtyllat përmes së cilës realizohet mbrojtja dhe fuqizimi i viktimave të dhunës.

Sipas Çelës, njohja ligjore e të drejtave të viktimës së krimit është sigurim e mbrojtje e lirive dhe të drejtave që i janë dhunuar, dhënia e mundësive ligjore për të qenë pjesë e procesit penal, për t’u mbrojtur, mbështetur, rehabilituar dhe për t’i dhënë aktorëve të përfshirë autoritetin e nevojshëm për t’ua siguruar këto të drejta.

“Në këtë drejtim, kuadri ligjor, si në aspektin e mbrojtjes juridiko penale, ashtu edhe në të drejtat procedurale penale, ka ardhur gjithmonë e më shumë në përmirësim, duke synuar të ecë në drejtim të legjislacioneve më të përparuara dhe veçanërisht atij të Bashkimit Evropian”, tha Çela.

“Ndërgjegjësimi për të drejtat, raportimi i krimit dhe mbrojtja e viktimave janë të ndërlidhura ngushtësisht. Ndërsa informimi e ndërgjegjësimi për të drejtat rrit vetëdijen dhe u jep pushtetin viktimave për të kërkuar mbrojtjen e tyre duke nxitur raportimin e krimit, mbështetja dhe garantimi efektiv i këtyre të drejtave nga ana e aktorëve të përfshirë, e veçanërisht policisë e prokurorisë, u jep sigurinë dhe besimin në sistemin e drejtësisë. Ky besim i jep forcë jo vetëm së viktimës së drejtpërdrejtë, por edhe familjes së saj, komunitetit, shoqërisë.

Në këtë kuptim, fuqizimi i parandalimit dhe raportimit të krimit përmes informimit, ndërgjegjësimit dhe komunikimit efektiv me publikun dhe viktimat e krimit, është një qëllim që lidh dhe lidhet pandashmërisht me qëllimet e tjera të strategjisë. Duhet treguar kujdes që nëpërmjet masave e aktiviteteve të arrihet te grupet e komunitetet më vulnerabël dhe me mundësitë më të pakta”, tha Çela.

“Është me vlerë që strategjia synon të sigurojë matjen e kënaqësisë së viktimave, duke e lidhur me shërbimet e ofruara dhe jo thjesht me rezultatet e drejtësisë penale. Ajo që duhet të arrijmë është që viktimat të ndjejnë që janë trajtuar drejtë dhe kanë besim tek organet e drejtësisë”, vuri në dukje Çela.

“Një angazhim veçanërisht i rëndësishëm është ai i përafrimit të legjislacionit penal dhe procedural penal, si dhe ligjeve të tjera që kanë në fushën e tyre të veprimit çështje të lidhura me viktimat e krimit. Ky qëllim nuk është thjesht detyrim në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ai është gjithashtu shembulli më i mirë për t’u ndjekur, pasi projekti evropian ka në qendër të drejtat dhe interesat e qytetarëve, dhe sigurisht ka nevojë për të fuqizuar viktimat dhe autoritetet me mjete ligjore”, vijoi Çela.

“Ekziston një parim i respektuar i të drejtës sipas të cilit “Aty ku ka një të drejtë, ka një korrigjim/ dëmshpërblim”. Është e domosdoshme që e drejta e kompensimit të realizohet duke përcaktuar kritere e procedura ligjore të qarta, jo të komplikuara, dhe fonde të nevojshme në dispozicion, në mënyrë që të jetë  lehtësisht e arritshme nga viktimat e krimit”, tha më tej Kryeprokurori.

“Për këtë arsye vlerësojmë fokusin e strategjisë në rritjen profesionale të të gjithë aktorëve, prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore, koordinatorëve të viktimave, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Angazhimi ynë në drejtim të përmirësimit të punës në mbrojtje të viktimave është afatgjatë, ndaj në çdo ditë të punës sonë ne do të vazhdojmë përpjekjet që të realizojmë maksimumin e ndryshimit të mundshëm”, tha Çela.